9 vendet nënujore më spektakolare në botë

Dergojani miqve tuaj kete oferte me:

Ka vende të mrekullueshme në botë. Shumica prej tyre gjenden në sipërfaqe të tokës e ato më madhështoret, cekin me duar lartësi marramendëse. Por ka dhe nga ato që duhet të zhytesh thellë (në fakt, jo domosdoshmërisht thellë) në oqeane, dete e liqene për t’i shijuar. E ato vërtiten që nga muzetë me skulptura gjigante, te shfaqjet spektakolare të sirenave të detit, deri te zyrat postare nënujore (po, po, një zyrë postare!).

Një përzgjedhje prej nëntë më të famshmeve, me siguri se do t’ju lënë gojëhapur dhe do t’ju frymëzojnë.

 

  1. Muzeu nënujor në Cancún, Meksikë

Ndoshta ai është muzeu më i famshëm nënujor në botë. “Museo Subacuático de Arte” (MUSA), gjendet në brigjet e ishullit Mujeres në anën meksikane të Karaibeve. Brenda tij, artisti Jason de Caires Taylor, ka ekspozuar mbi 500 skulpturat e tij madhështore. Zhytësit mund t’i shohin ato në një thellësi prej 2.5-6 metrash.

 

  1. Parku nënujor i liqenit të gjelbër, Austri

Në Austri takohen botët e aventurës mbiujore dhe asaj nëntokësore. Liqeni i gjelbër ndodhet në lokalitetin Tragoess në landin e Stirias. Në dimër, kur malet mbulohen me dëborë, kjo zonë shfrytëzohet rëndom nga turistët. Por në pranverë e verë, liqeni kthehet në një parajsë për zhytësit. Pasi nën liqen gjenden stola, pemë, shtigje ekskursionistësh dhe madje, edhe ura druri.

 

  1. Posta nënujore, Vanuatu

Keni dërguar ndonjëherë postë nga deti? Në “Hideaway Island Marine Sanctuary” në Vanuatu, gjendet zyra postare nënujore e vetme në botë, e fshehur nën më shumë se 2 metra e gjysmë thellësi. Prej këtu, zhytësit mund të dërgojnë kartolina që i rezistojnë ujit në mbarë botën.

 

  1. Restoranti “Subsix” në Maldive

Maldivet janë të njohura për resortet e tyre luksoze që përbëhen nga bungalotë mbiujore që tërheqin VIP-at nga të gjitha fushat si një magnet. Por, edhe nën ujë gjendet diçka si restoranti nënujor “Subsix” në resortin “Per Aquum Niyama”, i cili është (ndoshta) një ndër vendet më të jashtëzakonshme në botë për të shijuar një darkë, apo një ceremoni të paharrueshme.

 

  1. Skulptura nënujore e Krishtit, Florida

Nën sipërfaqen e detit në “Key Largo Dry Rocks”, që ndodhet në parkun kombëtar koralor, John Pennekamp, gjendet në një thellësi prej rreth tetë metrash, statuja prej tre metrash lartësi, prej bronzi, e mbiquajtur “Christ of the Abyss” (Krishti i humnerës). Ai, me shumë gjasa përbën atraksionin më të famshëm turistik në Florida. Statuja vetë është ndërtuar në vitin 1961 falë donacionit të sipërmarrësit italian, Egidi Cressi, me autor Guido Gallettis.

 

  1. Spektakli i sirenave në “Weeki Wachee Springs”, Florida

Asnjë admirues i sirenave të vogla të detit nuk do t’i rezistonte dot kësaj shfaqjeje spektakolare në “Weeki Wachee Springs State Park” në Florida, SHBA. Këtu zhvillohen numra akrobatikë për vizitorët. U ndërtua në vitin 1947 nga ish-anëtari rekordmen i Marinës, Newton Perry dhe sirenat që kërcejnë prej 60 vitesh tashmë janë një atraksion turistik më vete.

 

  1. Spa nënujore në “Per Aquum Huvafen Fushi”, Maldive

Resorti në fjalë është i pari në botë që ofron ambiente të përkujdesjes së trupit nën ujë. Klientët e tij kanë rastin të kenë një pamje të paharrueshme ekzotike të Oqeanit Indian me peshq klounë dhe oktapodë, ndërsa shijojnë masazhet dhe relaksin.

 

  1. Automjete të moçëm nën ujë, Curacao, Karaibe

Para brigjeve të ishullit të Curacao-s në Karaibe, gjenden shumë vende të mrekullueshme për zhytje. Më i rralli gjendet në Vaersenbaai. Këtu keni dhe rastin të hasni makina të vjetra e kamionë të viteve 1940-’50 nën sipërfaqen e ujit. Po ashtu, edhe vinça e mjete të rënda.

 

  1. “Ocean Aquarium”, Shangai, Kinë

“Ocean Aquarium” në Shangai është një ndër akuariumet më të mëdhenj në Azi. Këtu gjendet tuneli nënujor – me një gjatësi prej 155 metrash që mund të përshkohen vetëm më këmbë – më i gjati në botë. Tuneli i përcjell vizitorët nëpër një breg koralor në oqeanin e hapur, në guva e gjire peshkaqenësh. U çel në vitin 2002 në Pudong dhe mbart me vete 28 areale me më shumë se 10.000 specie detare.

Dergojani miqve tuaj kete oferte me: